Poloni, qeveria njofton vonesë dhe reduktim të dozave nga Moderna
Grupi tjetër i vaksinës Moderna, i destinuar për Poloninë do të vonohet dhe përmban 20 000 doza më pak nga sa pritej, njoftoi sot qeveria polake.
“Dërgesa e fundit e Moderna-s do të vonohet”, tha Michal Dworczyk, kreu i zyrës së kryeministrit dhe komisioneri i qeverisë për programin kombëtar të vaksinimit Covid.
“Fatkeqësisht, do të ketë 20 000 vaksina më pak, pra nuk do të jenë rreth 100 000 doza, por rreth 80 000 doza të vaksinës Moderna”, shtoi ai.
Dworczyk pretendoi se proceset e prodhimit dhe dërgesat e vaksinave të prodhuesve lënë shumë për të dëshiruar dhe kjo ka një efekt në Programin Kombëtar të Vaksinave.
“Pra, natyrisht, neve na vjen keq për të moshuarit që duhet të shtyjnë vaksinimet e tyre ose për pikat e vaksinimit që u prishet stabiliteti i punës. Ata do të duhet të merren me pasojat”, tha Dworczyk.
“Këto nuk janë vendimet tona, këto janë pasojat e veprimeve të prodhuesve të vaksinave”, theksoi ai.
”Komisioni Europian nuk ka mjete për të zbatuar në mënyrë efektive furnizimet nga prodhuesit në mënyrë që vaksinat të dorëzohen në vendet anëtare në kohë, në përputhje me orarin dhe që përmbajnë numrin e saktë të vaksinave”, deklaroi Dworczyk.
Dworczyk shtoi se qeveria nuk e ka analizuar ende mundësinë e blerjes së vaksinës ruse Sputnik V./atsh























