Finlandë, vazhdon procesi gjyqësor për krime lufte në Liberi
Procesi gjyqësor për krime të luftës në Liberi i ngritur kohë më parë, në Finlandë, në Tampere, po vazhdon edhe sot ndaj një të dyshuarit për krime lufte.
I akuzuari është Gibril Massaquoi, i cili kishte jetuar në Finlandë afro 10 vjet, njofton Hbl, transmeton RTKLive.
Javën e kaluar, gjykata e rrethit Pirkanmaa, në Tampere filloi shqyrtimin gjyqësor në çështjen ku një burrë nga Sierra Leone akuzohet për krime të tmerrshme të luftës në Liberi në vitet 1999–2003.
Massaquoi dyshohet për krime të rënda lufte. Ai akuzohet për vrasje, përdhunim të rëndë, shfrytëzim të fëmijëve, kanibalizëm, tortura, sulme të rënda dhe sulme të rënda ndaj të drejtave të njeriut.
Sipas prokurorit, Massaquoi mbante një pozicion drejtues në grupin rebel të Sierra Leones “Revolucioni i Bashkuar Revolucionar” (RUF), i cili, me kërkesë të ish-presidentit të Liberisë, Charles Taylor, mori pjesë në luftën e dytë civile të vendit, në vitet 1999–2003.
Gjatë kësaj lufte thuhet se janë vrarë rreth 150,000 deri 300,000 civilë.
Prokurori kërkon burgim të përjetshëm për veprën që dyshohet se ka kryer, ndërkohë që mbrojtja kundërshton akuzat.
Vendimi përfundimtar për çështjen pritet të merret në vjeshtë të këtij viti./RTKLive























