Sassoli: Pa BE-në do të fitonte ligji i më të fortit në garën për vaksinat
BKT
   Bota

Sassoli: Pa BE-në do të fitonte ligji i më të fortit në garën për vaksinat

Nëse Komisioni Europian nuk do të merrte përgjegjësi për të gjithë në garën për sigurimin e vaksinave çfarë do të kishte ndodhur? Ligji i më të fortit do të kishte prevaluar dhe nuk është kjo ajo që BE dëshiron, deklaroi presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, në përgjigje të një pyetjeje për gabimet e Brukselit në menaxhimin e vaksinës.

Sassoli kujtoi se, siç demonstron Fondi i Rimëkëmbjes i nënshkruar sot nga tre institucionet e BE-së, ne vazhdojmë të themi se ne po punojmë për të gjithë.

Paketa e rimëkëmbjes ekonomike të Bashkimit Europian prej 672,5 miliardë euro (815 miliardë dollarë) mori miratimin përfundimtar sot.

Një pjesë e madhe e këtyre parave – 312,5 miliardë euro – do të shpërndahen në grante për investime dhe reforma në 27 vendet e bllokut.

Për të marrë paratë, qeveritë duhet të paraqesin planet e tyre të shpenzimeve deri më 30 prill.

Më herët presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pranoi gabimet në strategjinë e vaksinave të Bashkimit Europian, por gjithashtu mbrojti parimet e tij thelbësore.

“Ne ishim tepër vonë në miratimet për vaksinat”, i tha zyrtarja e lartë e BE-së Parlamentit Europian.

“Dhe mbase ne ishim shumë të sigurt se ajo që porositëm në të vërtetë do të mbërrinte në kohë”, theksoi ajo.

“Ne e nënvlerësuam vështirësinë në lidhje me prodhimin masiv. Në një farë mënyre, shkenca e tejkaloi industrinë”, shtoi Von der Leyen./atsh