Protesta në Spanjë për të dytën natë me radhë
Protestuesit dhe policia u përleshën në Madrid dhe Barcelonë të mërkurën në mbrëmje, pasi njerëzit u mblodhën në rrugë për të protestuar ndaj arrestimit të një reperi të martën.
Për të dytën natë me radhë, protestat u përshkallëzuan në grindje midis protestuesve dhe policisë. Në Barcelonë, të paktën gjashtë persona janë ndaluar, si dhe rreth 15, një ditë më parë.
Rreth 30 njerëz raportohen të plagosur të martën në mbrëmje, sipas autoriteteve lokale, njofton Hbl, transmeton RTKLive.
Reperi Hasél, emri i vërtetë i të cilit është Pablo Rivadulla, u arrestua të martën, pasi ishte fshehur në një universitet.
Ai ishte detyruar të premten të dorëzohej tek autoritetet për të filluar dënimin e tij prej nëntë muajsh. Vendimi ka të bëjë me postimet dhe tekstet në Twitter ku reperi, ndër të tjera, ka kritikuar monarkinë dhe ka akuzuar policinë për torturimin dhe vrasjen e protestuesve dhe migrantëve.
Ai u shpall fajtor për shpifje dhe lavdërim të terrorizmit.
Reperi u strehua të hënën në Universitetin e Lleida në Kataluninë verilindore me një grup mbështetësish dhe tifozësh.
Qindra punonjës kulturorë, përfshirë regjisorin e filmit Pedro Almodóvar dhe aktorin e Hollivudit Javier Bardem, kanë nënshkruar një peticion kundër dënimit me burg./RTKLive























