Kanadaja gjithashtu dëshiron të kërkojë pagesa nga gjigandët e IT
Kanadaja thotë se, ashtu si Australia, do të nxjerrë ligje për të detyruar gjigandët e IT-së, si Facebook dhe Google, të paguajnë për përmbajtjen që postojnë nga kompanitë mediatike.
Që nga e enjtja, ndarja e lajmeve për përdoruesit e Facebook në Australi është bllokuar dhe kompanive lokale të mediave u janë bllokuar llogaritë, njofton Hbl, transmeton RTKLive.
Steven Guilbeault, ministri kanadez, përgjegjës për hartimin e legjislacionit të ngjashëm që do të paraqitet së shpejti, dënon veprimet e Facebook dhe thotë se kjo nuk do të pengojë Ottawan.
“Kanadaja është në krye të kësaj beteje ... ne jemi ndër vendet e para në të gjithë botën që e bëjmë këtë”, deklaroi ai.
Guilbeault shtoi se Kanadaja mund të jetë duke ndjekur modelin Australian, që do të thotë se Facebook dhe Google do të detyrohen të paguajnë mediat lokale për përmbajtjen, ose modelin që ekziston në Francë, i cili kërkon që Google të negociojë me botuesit për pagesa për të përdorur materialin e tyre. “Ne po hetojmë se cili model është më i përshtatshmi”, thotë Guilbeault dhe shton se javën e kaluar ai foli me homologët e tij francezë, australianë, gjermanë dhe finlandezë për të punuar së bashku për të siguruar kompensimin e drejtë për përmbajtjen në internet./RTKLive






















