Dozat e larta të vitaminës D nuk e parandalojnë COVID-19

Dozat e larta të vitaminës D nuk e parandalojnë COVID-19

Aktualisht ka prova të pamjaftueshme shkencore për të treguar se vitamina D mund të jetë e dobishme në parandalimin ose trajtimin e COVID-19, sipas shkencëtarëve, të cilët paralajmërojnë për rrezikun shëndetësor për shkak të dozave të larta të suplementeve, sipas një raporti të botuar në revistën ”BMJ Nutrition, Prevention and Health”.

Pas raporteve të paverifikuara që doza të larta të vitaminës D mund të zvogëlojnë rrezikun e kontraktimit të COVID-19, shkencëtarët kanë vlerësuar bazën aktuale të provave shkencore në lidhje me përdorimin e vitaminës në trajtimin e infeksioneve.

“Derisa të ketë prova më të forta shkencore për vitaminën D, ne paralajmërojmë fuqimisht kundër përdorimit të suplementeve në sasi të larta të vitaminës D”, shkruajnë shkencëtarët në këtë raport.

Raporti thekson se vitamina D është një hormon, i prodhuar në lëkurë gjatë ekspozimit ndaj rrezeve të diellit dhe ndihmon në rregullimin e sasisë së kalciumit dhe fosfatit në trup.

Këto minerale, sipas studiuesve, janë të nevojshme për të mbajtur të shëndetshme kockat, dhëmbët dhe muskujt.

“Një nivel duhur i vitaminës D në trup është thelbësor për shëndetin tonë të përgjithshëm. Shumë pak prej saj mund të çojë në rakitizëm ose në zhvillimin e osteoporoses, por shumë mund të çojë në një rritje të niveleve të kalciumit në gjak që mund të jetë veçanërisht e dëmshme”, tha Sue Lanham-New, autorja kryesor e studimit, nga Universiteti i Surrey në Britaninë e Madhe.

Sidoqoftë, studiuesit nuk gjetën prova të një lidhjeje midis dozës së lartë të suplementit të vitaminës D në ndihmën për të parandaluar ose trajtuar me sukses COVID-19.

Ata paralajmëruan për suplementet e vitaminës D, pa mbikëqyrje mjekësore, për shkak të rreziqeve shëndetësore.

Përveç suplementëve, nivelet e vitamins D në trup mund të plotësohen gjithashtu nga një dietë e ekuilibruar ushqimore, që përfshin ushqime të tilla, si peshku, mishi i kuq dhe e verdha e vezës. /atsh


MË SHUME NGA Shëndetësi