Vazhdojnë protestat në Mianmar-pavarësisht kërcënimeve me vdekje
BKT
   Bota

Vazhdojnë protestat në Mianmar-pavarësisht kërcënimeve me vdekje

Protestuesit kanë shpallur një grevë të përgjithshme në Mianmar, pavarësisht kërcënimit të qeverisë ushtarake se pjesëmarrësit mund të kenë pasoja me vdekje.

Qeveria ushtarake e vendit paralajmëroi protestuesit kundër inkurajimit të "trazirave dhe anarkisë", në një deklaratë përmes televizionit shtetëror MRTV.

"Protestuesit tani po inkurajojnë njerëzit, veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë e pambrojtur, në një rrugë ballafaqimi ku ata do të humbin jetën e tyre."

Pavarësisht kërcënimit, mijëra protestues dolën përsëri në rrugë të hënën, përfshirë në qytetin më të madh të Mianmarit, Rangoon (Yangon), njofton Hbl, transmeton RTKLive.

“Ne jemi të shqetësuar për sulmet, por do të vazhdojmë. Ne jemi kaq të zemëruar”, thotë studentja 23-vjeçare e universitetit Kyaw Kyaw, një nga demonstrueset.

Trazirat morën shpejtësi pas grushtit të shtetit ushtarak në 1 shkurt. Ushtria vendosi gjithashtu arrestin shtëpiak të liderit popullor të vendit, Aung San Suu Kyi.

Që nga ajo kohë, demonstrata në shkallë të gjerë, me qindra mijëra njerëz në rrugë, kanë ndodhur në të gjithë vendin.

Qindra të arrestuar, mes tyre punonjës të qeverisë, që janë bashkuar me një fushatë mosbindjeje.

Dy njerëz u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur policia hapi të shtëna të forta në qytetin e dytë më të madh në Mandalay, këtë fundjavë.

Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sanksione ndaj gjeneralëve në pushtet, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, të dielën, lëshuan paralajmërime të reja kundër vendit.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të marrin masa të forta kundër atyre që përdorin dhunë kundër popullit të Birmanisë, që kërkojnë rivendosjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike," shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken në Twitter./RTKLive