Zgjidhje e përkohshme për programin bërthamor të Iranit
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka përfunduar një marrëveshje të përkohshme me Iranin mbi marrëveshjen e energjisë bërthamore.
Por ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, këmbëngul që Shtetet e Bashkuara duhet të heqin sanksionet kundër vendit në mënyrë që Irani të pajtohet plotësisht me marrëveshjen.
Shefi i IAEA, Rafael Grossi, thotë se një zgjidhje e përkohshme tremujore është rënë dakord me Iranin që lejon monitorimin e vazhdueshëm të programit të energjisë bërthamore të vendit.
“Ajo për të cilën kemi rënë dakord është e realizueshme dhe e dobishme për të kapërcyer ndryshimet që kemi dhe për të shpëtuar situatën në këtë moment”, tha Grossi në një konferencë për shtyp, pasi u kthye në Vjenë pas negociatave në Teheran, njofton Hbl, transmeton RTKLive.
Përpara bisedimeve në Teheran, këtë fundjavë, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, kishte sinjalizuar se ai donte të shmangte një "ngërç". Por ai gjithashtu paralajmëroi se Irani mund të hiqte dorë nga angazhimet e tij më tej, nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin sanksionet kundër vendit.
"Sapo të gjithë të përmbushin zotimet e tyre përsëri, ne mund të fillojmë të flasim," tha Zarif në televizionin iranian para takimit.
Marrëveshja bërthamore u hartua në 2015 midis Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB dhe Gjermanisë.
Marrëveshja përfshin lehtësimin e sanksioneve kundër Iranit, në këmbim që vendi të ketë kufizime në programin e tij të energjisë bërthamore.
Ndërkaq njoftohet se në vitin 2018, presidenti Donald Trump vendosi që Shtetet e Bashkuara të largohen nga marrëveshja dhe të rivendosin sanksionet.
Që atëherë, Irani është përgjigjur duke shkelur vazhdimisht kushtet e marrëveshjes.
Joe Biden dëshiron të shkrijë acarin, por, gjithashtu, nuk dëshiron të jetë ai që do të bëjë hapin e parë./RTKLive























