Gjermania miraton testet shtëpiake për Covid-19

Gjermania miraton testet shtëpiake për Covid-19

Gjermania ka miratuar tri teste për Covid-19 që mund të përdoret në shtëpi si pjesë e ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, për ta ndihmuar ekonominë më të madhe të Evropës që të dalë nga izolimi që është vendosur nga mesi i dhjetorit.

Shkalla e infeksioneve në Gjermani ka rënë në mënyrë të vazhdueshme në javët e para të këtij viti, por ka ngecur ditëve të fundit, duke ua vështirësuar punën udhëheqësve për t’i lehtësuar masat kufizuese, kur të takohen javën e ardhshme për t’i shqyrtuar rregullat pas 7 marsit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u ka thënë deputetëve të partisë së saj se sigurimi i më shumë testeve dhe shtimi i kapaciteteve testuese do të mund ta bënte kthimin në normalitet më të qëndrueshëm, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Qeveria pret që këto teste të kushtojnë deri në 810 milionë euro në muaj për 30 deri në 45 milionë teste, sipas dokumenteve të siguruara nga agjencia Reuters.

Instituti Federal për Ilaçe dhe Pajisje Mjekësore të mërkurën i miratoi testet me antigjen të kompanive “Healgen Scientific”, “Xiamen Boson Biotech” dhe “Hangzhou Laihe Biotech” për përdorim nga njerëzit që nuk janë profesionistë mjekësorë.

Edhe shtetet tjera po shpresojnë te testet shtëpiake për ta luftuar përhapjen e virusit. Në Austri, metoda vetëtestuese po përdoret në shkolla dhe testet do të jenë të qasshme falas për publikun në barnatore që nga java e ardhshme.