Samiti për klimën, liderët zotohen të ulin emetimet e gazrave të dëmshëm

Samiti për klimën, liderët zotohen të ulin emetimet e gazrave të dëmshëm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë sërish pjesë e paktit ndërkombëtar për klimën në samitin e fundit. Të gjithë liderët mirëpritën presidentin e ri, Joe Biden, dhe të emëruarin e tij të posaçëm, John Kerry, gjatë punimeve të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara.

Fenomeni i ndryshimeve klimatike vijon të konsiderohet një kërcënim serioz për ekzistencën e njerëzimit dhe planetit tonë ndaj në samit u riktheksua zotimi për reduktimin e emetimeve të gazrave të dëmshëm.

“Kriza klimatike është sfida multilaterale e epokës sonë. Që tani ka një impakt në të gjitha fushat e aktivitetit njerëzor. Kapërcimi i kësaj krize kërkon koordinim dhe bashkëpunim të një shkalle të paprecedentë”, tha Antonio Gueterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.

Një ndërhyrje në këtë samit pati edhe eksperti i njohur, që nuk i kurseu paralajmërimet.

“Ndryshimet klimatike janë një kërcënim për sigurinë globale dhe mund të adresohen vetëm me bashkëpunim global në nivele të paprecedenta. Do të na detyrojnë të vëmë në pikëpyetje modelet tona ekonomike dhe ku vendosim vlera, të krijojmë industri krejtësisht të reja, të njohim përgjegjësinë morale që shtetet e pasura kanë për pjesën tjetër të botës dhe të vendosin një vlerë natyrës që shkon shumë përtej parave”, u shpreh David Attenorough, historian i natyrës.

SHBA e konsideroi si sfidën më të rëndësishme të të gjitha gjeneratave, ndërsa bashkë me Kanadanë premtuan zero emetime deri në vitin 2050. Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, propozoi që Kombet e Bashkuara të caktojnë një ambasador të pocaçëm sigurie për ndryshimet klimatike për të koordinuar punën në këtë fushë./a2