Të krishterët e Irakut po përgatiten për vizitën e parë të një pape
Të krishterët e Irakut po bëjnë përgatitje të shumta për vizitën e parë të një pape në shtetin e tyre. Papa Françesku do ta vizitojë shtetin me shumicë myslimane muajin e ardhshëm dhe do të qëndrojë katër ditë atje, pavarësisht pandemisë dhe rreziqeve në aspektin e sigurisë.
Pakica fetare prej qindra mijëra njerëzish fillimisht u tkurr nga rritja e grupit Al-Qaeda në fillim të dekadës së kaluar dhe më vonë nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, grup ekstremist që i përndoqi në mënyrë brutale të krishterët dhe pakicat tjera fetare nga viti 2014 deri më 2017.
Për shumë prej atyre që kanë mbetur ose që janë kthyer në Irak, ku ushtrimi i lirisë së fesë është përsëri i mundshëm, vizita e Papa Françeskut nga 5 deri më 8 mars është njohje e mirëpritur e asaj se sa kanë vuajtur ata për besimin e tyre, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Ne shpresojmë që pas vizitës së papës, gjendja e të krishterëve do të përmirësohet”, tha Amer Abdelahad, irakian i krishterë nga Erbili, pasi u regjistrua për të marrë pjesën e meshës me 10.000 njerëz në qytetin verior më 7 mars.
“Të krishterët në Irak kanë vuajtur shumë gjatë viteve të kaluara, ata po emigrojnë. Papa do të vijë dhe do ta shohë këtë realitet në terren”, shtoi ai, përderisa shoqërohej nga bashkëshortja dhe vajza, të cilat gjithashtu do të marrin pjesë në meshën e madhe.























