Suedi, kufizime të reja që nga 1 marsi
Situata është akoma serioze dhe rreziku i një vale të tretë është i madh, prandaj qeveria tani po fut kufizime të mëtejshme për të penguar përhapjen e infeksionit.
Të gjithë restorantet detyrohen të mbyllen më herët dhe numri maksimal i vizitorëve në dyqane është më i kufizuar.
Gjatë një konference pë shtyp kryeministri, Stefan Löfven, shprehu shqetësimin se përhapja e infeksionit është akoma e lartë, njoftojnë mediet suedeze, transmeton RTKLive.
“Situata është serioze, kemi një përhapje të lartë të infeksionit dhe kemi variante të reja të virusit, prandaj ekziston rreziku i një vale të tretë, por nuk është fatale, ne, përmes veprimeve tona, vendosim nëse do të jetë kështu", deklaroi Stefan Löfven.
Ndërsa, Johan Carlson, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Suedeze të Shëndetit Publik, shtoi se ka pak pajtueshmëri lidhur me kufizimet që ekzistojnë.
"Udhëtimet janë duke u rritur dhe bllokimet janë në rritje. Nuk është koha për t'u çlodhur. Nuk duhet të ketë mbingarkesë. Jo në dyqane, jo në stacionet e karburantit. Jo askund. Të gjithë detyrohen të mbyllen më herët”, deklaroi ai.
Si rezultat, qeveria i ka dhënë Agjencisë Suedeze të Shëndetit Publik mundësinë për të kufizuar më tej orët e hapjes për të gjitha llojet e restoranteve, pavarësisht nëse ata shërbejnë alkool apo jo.
Për më tepër, është vendosur që të shtrëngohet më tej pika maksimale për numrin e vizitorëve në palestra, qendra tregtare dhe dyqane.
“Një mobilizim i ri është i nevojshëm për të parandaluar një valë të tretë”, deklaroi ministrja e Çështjeve Sociale, Lena Hallengren.
Kufizimet e reja nënkuptojnë që restorantet duhet të mbyllen që në ora 20.30 dhe propozohen të zbatohen nga 1 marsi./RTKLive























