Mianmar,administrata ushtarake shpall të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve

Mianmar,administrata ushtarake shpall të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Unionit, në një mbledhje me përfaqësuesit e partive politike në vend njoftoi se janë shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve me arsyen se janë kryer mashtrime në numërimin e votave.

Administrata ushtarake, e cila mori me një grusht shteti qeverinë e zgjedhur në Mianmar, mori vendimin të shpallë të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2020, ku e para doli partia e ministres së Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi.

Thein Soe, Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Unionit që u formua pas grushtit të shtetit, në një mbledhje me përfaqësuesit e partive politike në vend njoftoi se janë shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve me arsyen se janë kryer mashtrime në numërimin e votave në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 8 nëntor 2020.

Në mbledhjen ku shumë parti kombëtare dhe etnike kundërshtuan pjesëmarrjen, nga 93 parti të regjistruara morën pjesë 53 prej tyre.

Partia e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP) e mbështetur nga ushtria dhe Partia e Kongresit Kombëtar Kachin nga partitë etnike, ishin në mesin e partive që dërguan përfaqësues në mbledhje.

Lideri i USDP-së, Than Htay, në mbledhje i rekomandoi komisionit zgjedhor shpërbërjen e Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD), partisë së rrëzuar nga pushteti të Aung San Suu Kyi.

Partia NLD e Suu Kyi në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor 2020, ruajti pushtetin duke fituar 238 ulëse në parlament dhe 138 në senat.

Htay pretendoi se zyrtarët e NLD-së kanë bërë mashtrime në numërimin e votave duke numëruar dy herë apo tre herë votat në shumë kuti.

Komisioni i Zgjedhjeve kishte vendosur që pretendimet për mashtrime janë të pavërteta dhe se fituese e zgjedhjeve ishte NLD.

Teksa partitë pro ushtrisë dhe ato opozitare, protestuan që nga fillimi vitit e deri më tani ndaj rezultateve të zgjedhjeve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, më 27 janar deklaroi se mund të shpërbënte kushtetutën në rast se qeveria nuk ndërmerrte hapa lidhur me pretendimet për mashtrime në zgjedhje.

Grushti shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Teksa ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, në vend më pas u arrestuan shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, Bashkimin Evropian (BE), shumë vende si dhe Turqia, reaguan ashpër ndaj puçit ushtarak. SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania e Madhe zbatuan sanksione ndaj zyrtarëve që luajtën rol në grushtin e shtetit.

Kundër grusht shtetit në vend populli filloi protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci ndërkohë që si rezultat i ndërhyrjes së forcave të sigurisë, protestat kundër grushtit të shtetit u zhvilluan me pjesëmarrje më masive dhe më të gjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë të arrestuar.