Kore e Jugut, dy pacientë ndërrojnë jetë pasi marrin vaksinën kundër COVID
Zyrtarët lokalë të shëndetësisë thanë se ende nuk kanë përcaktuar nëse pacienti pësoi efekte anësore nga vaksina.
Të paktën dy pacientë në spitalet e Koresë së Jugut kanë ndërruar jetë pasi morën vaksinat AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, pacienti i parë që ishte nën trajtim në një spital në Goyang, afër kryeqytetit Seul, u vaksinua dje.
I pranuar në spital për probleme të zemrës dhe diabetit pas vaksinimit, pacienti filloi të shfaqte simptoma të sulmit në zemër dhe vështirësive në frymëmarrje deri pasditen e djeshme, por u shërua nën kujdesin urgjent. Megjithatë, simptomat u përsëritën mëngjesin e sotëm.
Yonhap po ashtu citoi zyrtarët shëndetësorë se një pacientë tjetër 63-vjeçar në Pyeongtaek ndërroi jetë katër ditë pasi kishte marrë vaksinën AstraZeneca.
Që nga dita e vaksinimit të shtunën e kaluar, 63-vjeçari me sëmundje cerebrovaskulare kishte shfaqur simptoma të rënda, të tilla si ethe të larta dhe dhimbje të forta, pas çka dje u shtrua në një spital pasi gjendja e tij u përkeqësua.
Zyrtarët lokalë të shëndetësisë thanë se ata ende nuk kanë përcaktuar nëse pacienti pësoi efekte anësore nga vaksina.
Vendi filloi administrimin e vaksinave Oxford-AstraZeneca të premten e kaluar.
Koreja e Jugut së fundmi raportoi 444 infeksione të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 90.816. Që nga shpërthimi i pandemisë, në këtë vend kanë vdekur 1.612 persona.























