Të dhëna të reja lidhur me sulmin në Vetlanda
BKT
   Bota

Të dhëna të reja lidhur me sulmin në Vetlanda

Vetlanda, qytet në Suedi, u trondit nga sulmi i së mërkurës kur një burrë, në moshën 20-vjeçare sulmoi disa persona.

Tre persona janë në rrezik jete, ndërkohë që policia po heton nëse burri kishte një motiv të mundshëm terrorist.

Ndonëse policia nuk e ka treguar ngjarjen në detaje, bëhet e ditur se 15 minuta pas alarmit të parë, burri ishte ende i armatosur me thikë. Ai u qëllua nga policia, ndërkohë që burri kishte plagosur shtatë persona në sulmin, i cili duket se ka ndodhur në disa vende të ndryshme në Vetlanda.

Policia kishte rrethuar pesë skena të ndryshme krimi në natyrë.

Tre njerëz janë në rrezik jete dhe dy janë plagosur rëndë, njoftojnë mediet suedeze, transmeton RTKLive.

Autori gjithashtu po trajtohet në spital për plagën e tij të marrë me armë zjarri, nga policia, por që konsiderohet se nuk është në rrezik jete.

Policia po heton aktin si një vrasje në tentativë, por gjithashtu ka dyshime për një motiv të mundshëm terrorist.

“Ka detaje në hetim që na bëjnë të hetojmë ndonjë motiv terrorist, por për momentin nuk mund të konkludojmë”, tha shefja e policisë së qarkut, Malena Grann, në një konferencë shtypi të mërkurën mbrëma.

Ndërkaq zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Karl Melin, deklaroi se ata po bashkëpunojnë ngushtë me policinë në këtë rast.

“Misioni i organeve të sigurisë është të parandalojë dhe luftojë terrorizmin”, tha Melin.

Personi, që ka kryer këtë akt, tashmë është i njohur për policinë për krime të vogla.

Ndërkaq kryeministri suedez, Stefan Löfven, në një deklaratë me shkrim tha se mendimet e tij shkojnë te të plagosurit dhe të afërmit e tyre dhe se ai "dënon këtë dhunë të tmerrshme".

Gjatë ditës, policia do të mbajë një konferencë të re për shtyp në lidhje me incidentin dhe hetimin./RTKLive