8 shtetas të Mianmarit kalojnë në Indi për të kërkuar strehë
BKT
   Bota

8 shtetas të Mianmarit kalojnë në Indi për të kërkuar strehë

Ai tha se një hetim mbi çështjen është duke u zhvilluar për të mësuar arsyen e saktë të mbërritjes së tyre.

Numri i qytetarëve të Mianmarit që kaluan në Indinë fqinje për të gjetur strehë është rritur në tetë, raporton Anadolu Agency.

Mes goditjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve kundër grusht shtetit në Mianmar, tre shtetas që besohet se janë oficerë të policisë dje kaluan në shtetin verilindor Mizoram të Indisë.

"Numri tani është tetë. Pesë prej tyre mbërritën sot", tha Kumar Abhishek për AA, nënkryetar i rrethit Serchhip.

Ai tha se një hetim mbi këtë çështje është duke u zhvilluar për të mësuar arsyen e saktë të mbërritjes së tyre.

"Vetëm pasi të kemi përfunduar hetimin tonë mund të komentojmë më tej mbi këtë", tha Abhishek, duke shtuar se një raport u është dërguar edhe autoriteteve më të larta.

Më herët, një zyrtar i lartë në qeverinë Mizoram tha për AA se ata po ashtu i kanë dërguar një raport qeverisë federale. Zyrtari shtoi se ata presin që të vijnë më shumë qytetarë nga Mianmari.

"Nëse situata përkeqësohet në Mianmar, patjetër, më shumë njerëz do të përpiqen të hyjnë në Indi", tha ai.

Ka kaluar mbi një muaj pasi ushtria e Mianmarit rrëzoi qeverinë e zgjedhur në një grusht shteti, duke shkaktuar protesta kundër ushtrisë.