Vaksinimi me ecuri pozitive, Fauci këshillon të mos hiqen kufizimet në SHBA
BKT
   Bota

Vaksinimi me ecuri pozitive, Fauci këshillon të mos hiqen kufizimet në SHBA

SHBA merr lajme të mira në luftën ndaj koronavirusit. Mbi 82 milionë doza të vaksinave anti-covid janë administruar deri më tani, sipas Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

 “Jemi tani rreth 2 milionë vaksinime në ditë. Kjo do të thotë se çdo ditë apo javë që kalon, kemi më shumë njerëz të mbrojtur”, deklaroi Anthony Fauci, këshilltari mjekësor i presidentit Biden.

Me ecurinë pozitive të vaksinimeve, më shumë shtete po heqin kufizimet. Guvernatori i Alabamës tha se nga prilli mbajtja e maskës nuk do të jetë me detyrim. Virologu i njohur amerikan, Anthony Fauci, kritikoi këtë qasje dhe kërkoi që masat të mos lehtësohen.

Edhe Teksasi pritet që të mos respektojë urdhrin për mbajtjen e maskës, një vendim të cilin presidenti Joe Biden e konsideron si gabim të madh.

“Kur do të jetë koha e duhur ekzaktësisht? Do të jetë kur çdokush të marrë një vaksinë? Apo kur Covid-19 të ketë mbaruar?”, u shpreh guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.

Ekspertët shëndetësorë thonë se është thelbësore të pritet që më shumë njerëz të imunizohen dhe që numri i rasteve ditore të bjerë. Në të kundërt situata do të përshkallëzojë, siç ndodhi vitin e kaluar kur kufizimet u hoqën më herët seç duhej.

Numri total të infektuarve në Shtetet e Bashkuara është mbi 28.8 milionë, ndërsa 520 mijë persona kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë. Në 24 orët e fundit, u raportuan 65 mijë raste të reja dhe mbi 2400 viktima./a2