Somali, sulm vetëvrasës në një restorant

Somali, sulm vetëvrasës në një restorant

Al-Shabaab mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se sulmuan pikën e takimit të zyrtarëve të sigurisë.

Burime mjekësore bënë të ditur se të paktën 20 persona u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën pas një sulmi vetëvrasës me makinë-bombë që shënjestroi një restorant në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, raporton Anadolu Agency.

Sulmi ndodhi në kohën kur kishte frekuentim më të madh pranë portit detar në lagjen Hamarjajab.

Zëdhënësi i policisë, Sadaq Adan Ali, në një bisedë telefonike për AA, disa minuta pas shpërthimit, tha se një makinë e ngarkuar me eksploziv goditi restorantin, duke shtuar se hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar dëmin.

Paramedikët në vendngjarje thanë se panë 20 persona të vdekur dhe transportuan mbi 30 të plagosur në spitalet e Mogadishut për trajtim.

"Informatat paraprake për shpërthimin e fundit në Mogdishu thonë se Ambulanca Aamin transportoi 30 të plagosur dhe pa 20 të vdekur", shkroi në rrjetet sociale Abdulkadir Adan, kryetari i Ambulancës "Aamin".

Abdifatah Hassan, një oficer policie në zonë, për AA tha se duke pasur parasysh fuqinë e shpërthimit, viktimat mund të ishin më shumë se 20 persona, kryesisht civilë.

Sipas mediave lokale dhe shtetërore, shpërthimi dëmtoi zonën e banuar aty pranë dhe njerëzit mund të jenë bllokuar brenda shtëpive të tyre.

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Informacionit të Somalisë, Ismail Mukhtar Oronjo, përmes rrjeteve sociale njoftoi se “një makinë-bombë ka shpërthyer jashtë restorantit Lul Yemeni në Mogadishu. Raportet nga qarku Hamarjajab në rajonin Benadir thonë se kishte viktima si rezultat i shpërthimit".

Bëhet fjalë për një restorant që frekuentohet nga zyrtarë të sigurisë dhe civilë.

Al-Shabaab mori përgjegjësinë për sulmin përmes radios "Andalus", duke thënë se sulmuan pikën e takimit të zyrtarëve të sigurisë.