Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia po dezinformon kundër vaksinës Pfizer
Sipas një raporti të fundit nga Wall Street Journal, zyrtarët e inteligjencës ruse po përpiqen të hedhin dyshime mbi vaksinën e Pfizer-it kundër koronavirusit.
Katër revista që shërbejnë si mjete përballjeje për inteligjencën ruse po shpërndajnë informacione që vënë në dyshim efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës Pfizer, thanë për Journal zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
Rusia po qarkullon informacione mashtruese të dizajnuara që t'i bëjnë amerikanët të dyshojnë nëse SHBA-të u nxituan me procesin e miratimit të vaksinës Pfizer për COVID-19.
"Ne mund të themi se këto revista janë të lidhura drejtpërdrejt me shërbimet e inteligjencës ruse," i tha gazetës një zyrtar në Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit. "Ato janë të gjitha në pronësi të huaj, me bazë jashtë Shteteve të Bashkuara. Ato dallojnë shumë në atë se kë e kanë cak, në tonin dhe audiencën e tyre, por të gjitha janë pjesë e ekosistemit rus të propagandës dhe dezinformimit."
Në nëntor, Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi shpreson të shpërndajë vaksinën e tij kontroverse kundër koronavirusit, Sputnik V, në vendet e tjera.
Rusia njoftoi se ka zbuluar një vaksinë të suksesshme kundër koronavirusit në gusht, por Sputnik V u miratua në rrethana të dyshimta. Ajo u lëshua në përdorim para se të kalonte në fazën e tretë të testimeve. Në Shtetet e Bashkuara, faza e tretë është një parakusht para se një bar medicinal ose vaksinë të verifikohet dhe miratohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave.
Afati i përshpejtuar i miratimit, i shtyri zyrtarët shëndetësorë të spekulojnë që Kremlini i detyroi prodhuesit e vaksinave që të nxirrnin Sputnik V shpejt për të fituar një hap në garën globale për një kurë ndaj koronavirusit të ri.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane tani besojnë se kjo përpjekje për të minuar vaksinën Pfizer që po drejtohet nga Kremlini është një mënyrë tjetër për të forcuar statusin e Sputnik V, raportoi gazeta Journal.
Johnson & Johnson është kompania e fundit që hyn në lojën e vaksinave. Gjiganti i përkujdesjes shëndetësore është duke ofruar një vaksinë që jepet me një dozë të vetme, të cilën kompania pret që t'ua shpërndajë së shpejti 4 milion amerikanëve.
Në Johnson & Johnson, vaksina e të cilëve fitoi miratimin e FDA kah fundi i shkurtit, thonë se presin të vaksinohen 20 milion njerëz deri në fund të marsit dhe 100 milion deri në fund të qershorit.
Përfshirë vaksinën Johnson & Johnson, Shtetet e Bashkuara tani po distribuojnë dhe po shesin amerikanëve tri vaksina efektive.
Pfizer dhe Moderna - dy kompanitë, vaksinat e koronavirusit të të cilave u lëshuan në përdorim para vaksinës së Johnson & Johnson - kanë nivele të efikasitetit 94% dhe 95%, respektivisht.
Vaksinat kundër koronavirusit janë në qarkullim në Shtetet e Bashkuara që nga dhjetori i vitit 2020, pasi Pfizer u bë kompania e parë që prodhoi dhe mori miratimin e FDA për shpërndarjen e vaksinës.
Duke pasur vaksinën e tretë në treg, SHBA-të pritet të kenë doza të mjaftueshme për të imunizuar 300 milion njerëz.
Më shumë se 57 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë marrë tashmë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Vaksinat Pfizer dhe Moderna duhet të administrohen në dy doza, ndërsa Johnson & Johnson kërkon një dozë.
Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të kenë doza të mjaftueshme të vaksinave të koronavirusit për "çdo të rritur në Amerikë" deri në fund të majit. Deklarata e Biden-it shpejtoi afatin kohor për të arritur këtë prag për rreth një muaj më herët, raportuan Eliza Relman dhe Sonam Sheth të Insider-it.
Ka kaluar gati një vit qysh se OBSH-ja shpalli koronavirusin një pandemi. Sipas të dhënave të fundit të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins, që nga ajo kohë më shumë se 28 milionë persona janë infektuar në Shtetet e Bashkuara. Nga ky numër kanë vdekur më shumë se 500,000 amerikanë.























