Qindra të rinj janë burgosur në Mianmar
Disa qindra protestues të rinj në Mianmar, të cilët gjatë mbrëmjes së djeshme kanë qenë të bllokuar në një zonë rezidenciale, të rrethuar nga forcat e sigurisë, megjithatë arritën t`i shpëtojnë arrestimeve..
Për të treguar mbështetjen e tyre për rreth 200 studentë të rrethuar nga forcat e sigurisë, mijëra njerëz kundërshtuan shtetrrethimin natën dhe dolën në rrugët e qytetit më të madh të vendit, Rangoon.
"Kishte kaq shumë që ofruan udhëtime falas dhe njerëz që i mirëpritën protestuesit," tha për Reuters, përmes telefonit, aktivistja rinore Shar Ya Mone, transmeton RTKLive.
Ajo barrikadoi veten në një shtëpi me 15-20 persona të tjerë, në përpjekje për t'i shpëtuar policisë, e cila me të shtëna të mprehta dhe granata shpërqendrimi kërcënoi të shkonte derë më derë në zonën e banimit dhe të ndëshkonte banorët që u zbuloheshin protestuesit e strehuar.
Sipas një organizate për të drejtat e njeriut, rreth 50 njerëz janë arrestuar në sulmet e policisë në zonë, gjatë natës.
Në orën 5 të mëngjesit me kohën lokale, protestuesit ishin në gjendje të linin vendet e tyre të fshehjes, pasi policia u tërhoq.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, dhe disa vende perëndimore më parë i kishin bërë thirrje juntës ushtarake për të lejuar protestuesit të largoheshin nga zona, në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
"Shumë nga të kapurit janë gra që marshuan paqësisht për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas," tha zëdhënësi i Guterres, Stéphane Dujarric.
Forcat e sigurisë kanë shtypur me forcë protestat e vazhdueshme kundër juntës ushtarake, e cila kapi pushtetin në një grusht shteti më 1 shkurt dhe rrëzoi udhëheqësen e zgjedhur Aung San Suu Kyi.
Të hënën, të paktën tre njerëz u qëlluan për vdekje dhe lista e të vdekurve që kur ushtria mori pushtetin është mbi 60 njerëz dhe afro 1,800 njerëz janë arrestuar./RTKLive























