Tanzania përkthen ligjet nga anglishtja në gjuhën suahiliane
Suahilishtja është një makro gjuhë nga familja e gjuhëve Bantu që flitet në të gjithë Afrikën Lindore.
Autoritetet në shtetin e Afrikës Lindore të Tanzanisë kanë njoftuar se së shpejti do të përkthejnë qindra ligje të vendit nga anglishtja në gjuhën vendase suahiliane, raporton Anadolu Agency (AA).
Suahilishtja është një makro gjuhë nga familja e gjuhëve Bantu që flitet në të gjithë Afrikën Lindore.
Zëdhënësi i Qeverisë Tanzanisë, Hassan Abbasi, tha se të gjitha ministritë dhe institucionet janë të angazhuara në përkthimin e më shumë se 450 ligjeve dhe rregulloreve nga anglishtja në suahilisht.
Ai tha se përkthimi i ligjeve do të përfundojë deri në dhjetor të këtij viti dhe se qëllimi i këtij projekti është të lehtësojë qasjen e barabartë në normat e vlefshme ligjore dhe drejtësinë për të gjithë banorët e Tanzanisë.
Tanzania deklaroi pavarësinë nga Britania e Madhe në vitin 1961, ndërsa aktualisht anglishtja dhe suahilishtja kanë statusin e gjuhëve zyrtare në këtë vend.
Ndonëse Qeveria e Tanzanisë edhe më herët në mënyrë sporadike përktheu disa akte ligjore në gjuhën suahiliane, kjo do të jetë hera e parë që kryhet përkthimi i një materiali të gjerë ligjor.























