Japonia e India "thellësisht të shqetësuara" nga puçi ushtarak në Mianmar
BKT
   Bota

Japonia e India "thellësisht të shqetësuara" nga puçi ushtarak në Mianmar

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Japonisë thuhet se kryeministri japonez Yoshihide Suga zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin indian Narendra Modi.

Japonia dhe India kanë shprehur "shqetësime të thella" kundër grusht shtetit ushtarak më 1 shkurt dhe ngjarjet e ndodhura më pas në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Japonisë thuhet se kryeministri japonez Yoshihide Suga zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin indian Narendra Modi.

Në bisedë u diskutuan zhvillimet rajonale, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se dy liderët shprehën "shqetësime të thella" për grushtin ushtarak më 1 shkurt në Mianmar dhe ngjarjet e ndodhura më pas.

Më tej në deklaratë u tërhoq vëmendja se Suga ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut të muslimanëve ujgurë në rajonin autonom Xinjiang të Kinës dhe të protestuesve në protestat e zhvilluara në Hong Kong.

Krahas rëndësisë së përparimit të marrëdhënieve reciproke, në bisedë u vendos theksi edhe mbi forcimin e aleancës Quad të zhvilluar kundër Kinës për të zbatuar vizionin "e lirë dhe të hapur Indo-Paqësor" kundër kërcënimeve rajonale.

Sipas lajmit të agjencisë Kyodo liderët e vendeve Quad të formuar nga SHBA-ja, India, Japonia dhe Australia, pritet të mbajnë një takim nëpërmjet internetit më 12 mars.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit ndërsa kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit me 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 60 protestues dhe vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.