Aktivistja saudite shpreson për një dënim më të butë
Aktivistja saudite për të drejtat e grave, Loujain al-Hathloul, e cila kohët e fundit u lirua me kusht pas gati tre vjetësh burg, do të paraqitet në gjykatë të mërkurën me shpresën për ulje të dënimit.
Loujain al-Hathloul u arrestua në maj 2018 për luftën e saj për të drejtën e grave për të drejtuar vetura në komunikacion në një nga vendet më patriarkale të botës.
Në Dhjetor 2020, ajo u dënua me gati gjashtë vjet burg, e akuzuar se kishte pasur kontakte me shtetet armiqësore dhe që kishte zbuluar informacion të klasifikuar, diçka që familja e saj e mohon. Lirimi në shkurt është interpretuar nga shumë si rezultat i inaugurimit të Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara, pasi Biden mbajti një qëndrim shumë më kritik, sesa paraardhësi i tij ndaj abuzimeve të përsëritura të të drejtave të njeriut nga Arabia Saudite.
Sidoqoftë, ndërsa ajo lirohet me kusht për tre vjetët e ardhshme, al-Hathloul nuk do të lejohet të largohet nga vendi ose të flasë në publik.
“Le të shpresojmë se dënimi ka ndryshuar. Ne do të shohim se si do të shkojë”, deklaroi ajo gjatë rrugës për në gjykatë në Riad./RTKLive























