AI: Pabarazitë në vaksina rrezikojnë jetë njerëzish
BKT
   Bota

AI: Pabarazitë në vaksina rrezikojnë jetë njerëzish

Veprimet e kompanive farmaceutike dhe shteteve të pasura po bëjnë që miliarda njerëz që janë në rrezik nga sëmundja COVID-19, të kenë pak gjasa të marrin doza të vaksinave gjatë këtij viti, të cilat mund t’ua shpëtojnë jetën, thotë organizata Amnesty International, që ka lansuar një fushatë të re globale, përmes së cilës bëhet thirrje që të ketë qasje universale në vaksina.

Fushata “Ndarje e barabartë: Qasje universiale në vaksinat kundër COVID-19” u bën thirrje kompanive farmaceutike që të ndajnë njohuritë e tyre dhe teknologjinë, që të maksimizohet numri i dozave të qasshme të vaksinës në mbarë botën. Gjithashtu, përmes kësaj fushata, u bëhet thirrje shteteve që të ndalojnë pjesëmarrjen në “nacionalizmin e vaksinave” dhe të punojnë së bashku, që të sigurohen që ata që janë në rrezik më të madh nga COVID-19, në të gjitha shtetet, të mund të kenë qasje menjëherë në vaksinat kundër koronavirusit.

“Kush ka qasje në vaksinat kundër COVID-19, kur dhe me çfarë çmimi, janë disa prej pyetjeve më të rëndësishme dhe më të debatueshme që sot përballen shoqëritë tona. Por, përgjigjet po formësohen nga interesat e shteteve të fuqishme dhe kompanive”, tha Stephen Cockburn, kreu i departamentit për Drejtësi Ekonomike dhe Sociale në Amnesty International.

“Deri më tani, ato (shtetet dhe kompanitë) kanë krijuar një situatë të rrezikshme të pabarazive globale në qasjen në vaksina dhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Disa shtete të pasura janë përpara (në vaksinim), ndërkaq pjesa tjetër e botës po lufton që të ia nisë këtij procesi. Të gjithë meritojnë një mundësi që të kenë qasje në vaksina – dhe kur vjen puna për të drejtat tona të shëndetit, nuk ka vend për diskriminim”, shton Cockburn.