Suga i pari udhëheqës i huaj që takon Biden
Kryeministri japonez, Yoshihide Suga do të takohet me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Uashington në gjysmën e parë të prillit.
”Suga do të bëhet udhëheqësi i parë i huaj që do të zhvillojë bisedime me presidentin e ri të SHBA-së”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë japoneze, Katsunobu Kato në një konferencë shtypi.
Takimi Suga-Biden do të zhvillohet lidhur veçanërisht me shqetësimet për rritjen e ndikimit të Kinës në rajonin Indo-Paqësor.
“Ne shpresojmë të forcojmë më tej lidhjet dypalëshe, duke përfshirë aleancën Japoni-SHBA dhe për të konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë drejt arritjes së një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”, tha Kato.
Biden dhe Suga pritet të marrin pjesë sot në një takim virtual me udhëheqësit e Indisë dhe Australisë.
Do të jetë hera e parë që të katër udhëheqësit do të takohen në të ashtuquajturin grupi ”Quad”, i cili është shkurtim i shprehjes ”Dialogu Katërkëndësh i Sigurisë”.
“Fakti që presidenti Biden e ka bërë këtë një nga angazhimet e tij të para shumëpalëshe flet për rëndësinë që i kushtojmë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë në Indo-Paqësor”, deklaroi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki./atsh























