Çavushoglu: Kemi filluar kontakte të nivelit diplomatik me Egjiptin
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu bëri të ditur se vendi i tij dhe Egjipti kanë filluar kontaktet e nivelit diplomatik pas disa vitesh të ndërprerjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Ne kemi kontakte me Egjiptin si në nivelin e shërbimeve sekrete ashtu edhe në nivelin e ministrive të Jashtme. Kontaktet në nivelin diplomatik kanë filluar”, theksoi Çavushoglu.
Duke theksuar se asnjëra palë nuk parashtroi parakushte, Çavushoglu shtoi se lidhjet e shpërqendruara për vite nuk mund të ndërtoheshin menjëherë dhe në mënyrë të lehtë.
Ai shtoi se mungesa e besimit po ashtu është normale në situata të tilla dhe mund të ndodhë për të dy palët.
“Për këtë arsye, zhvillohen negociata dhe ato vazhdojnë në kuadër të një strategjie të përcaktuar, të një harte rrugore”, nënvizoi Çavushoglu.
Në lidhje me propozimin e SHBA-së për qeverinë turke për të pritur një takim të nivelit të lartë në javët e ardhshme midis përfaqësuesve të qeverisë afgane dhe talebanëve për të finalizuar një marrëveshje të paqes, Çavushoglu theksoi se Turqia është përfshirë në proces që nga fillimi.
“Ne jemi një nga vendet e pakta të ftuar në këtë ceremoni nënshkrimi dhe ne jemi një nga aktorët më të rëndësishëm në Afganistan”, theksoi Çavushoglu./atsh























