Finlandë: Kufizimet e hyrjes do të vazhdojnë të paktën deri në 17 prill
Qeveria finlandeze ka vendosur që kufizimet e hyrjes dhe kontrollet kufitare do të vazhdojnë deri në 17 prill pa ndryshime të mëdha.
Ekzistojnë kufizime për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe varianteve të tij nga jashtë. Me pak fjalë, kufizimet zbatohen për të gjitha udhëtimet e kohës së lirë dhe shumicën e udhëtimeve në punë.
Udhëtimet që konsiderohen të domosdoshme në funksion të sigurisë së furnizimit janë akoma të lejuara, njoftojnë mediet vendore, transmeton RTKlive.
Lejohet gjithashtu që qytetarët finlandezë të largohen dhe të kthehen në Finlandë.
Kufizimet zbatohen kryesisht për shtetasit e huaj që nuk kanë leje qëndrimi në Finlandë.
Kufizimet e hyrjes ndahen në dy kategori kryesore: ato që zbatohen për vendet e Shengenit dhe ato që zbatohen për vendet jo-Shengen.
Shengeni përfshin shumicën e vendeve të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Për udhëtarët nga të gjitha vendet e Shengenit përveç Islandës, zbatohen të gjitha kufizimet.
Situata e koronavirusit në Islandë është e mirë dhe qytetarët sslandezë mund të vijnë në Finlandë pa kufizime.
Vendet e tjera llogariten si vende të treta dhe trajtohen ndryshe.
Për disa vende zbatohen të gjitha kufizimet, për të tjerët asnjë.
Për shembull, kufizimet e hyrjes janë hequr tashmë për shtetasit e vendeve jo-Shengen, si: Australia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, Singapori, Tailanda dhe Shteti i Qytetit të Vatikanit. Kufizimet e hyrjes tani po hiqen edhe për qytetarët e Ruandës.
Qeveria përsërit rekomandimin e saj për të shmangur udhëtimet e panevojshme jashtë vendit./RTKLive























