E konfirmon Netanyahu: Po normalizojmë marrëdhëniet me Turqinë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se janë në proces të normalizimit të marrëdhënieve me Turqinë.
Mediat e huaja raportojnë se Netanyahu është shprehur se qeveria të cilën e drejton po qëndron në kontakte të vazhdueshme me Ankaranë.
“Po, po qëndrojmë në kontakt me Turqinë, ka zhvillime të mira”, citohet të ketë thënë Netanyahu për Deutsche Welle.
Komentet e Netanyahut, siç raportojnë mediat e huaja, vijnë pasi ministri izraelit i Energjisë, Yuval Steinitz u shpreh se Tel Avivi qëndron i gatshëm që të bashkëpunojë me Turqinë rreth çështjes së gazit natyror në Mesdheun lindor.
Vlen të theksohet se raportet mes dy vendeve nuk kanë qenë edhe aq të mira që prej incidentit të Mavi Marmara.
Mavi Marmara ka qenë anija më e madhe që transportonte ndihma për palestinezët në vitin 2010.
Aktivistët pro-palestinezë të cilët kërkonin të thyejnë bllokadën ekonomike të Izraelit në Rripin e Gazës ishin në bordin e anijës kur kjo u sulmua nga forca izraelite, duke lënë kështu të vdekur nëntë shtetas turqë.























