Pesë të arrestuar në Jordani pas skandalit të oksigjenit
BKT
   Bota

Pesë të arrestuar në Jordani pas skandalit të oksigjenit

Një drejtor spitali dhe katër zyrtarë të tjerë qeveritarë janë arrestuar në Jordani, që kur shtatë pacientë me covid vdiqën, pasi spitali ishte pa oksigjen për një orë.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën e kaluar, njoftojnëmeidet e huaja, transmeton RTKLive.

Një prokuror vendosi të dielën që të pestit do të mbahen në paraburgim, për t'u marrë në pyetje në javën e ardhshme.

Tragjedia e së shtunës ka shkaktuar zemërim në Jordani dhe, pasi u njoftuan vdekjet, ministri i shëndetësisë i vendit, Nazir Obeidat, dha dorëheqjen.

Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, shkoi në spital të shtunën e kaluar, me sa duket i mërzitur dhe urdhëroi drejtorin e spitalit të linte postin e tij.

Qindra njerëz, përfshirë të afërmit e të vdekurve, u mblodhën jashtë spitalit për të protestuar dhe shprehur zemërimin e tyre për tragjedinë.

Është ende e paqartë pse spitali ishte pa oksigjen për një orë të shtunën e kaluar.

Jordania, e cila ka rreth 9.5 milionë banorë, ka regjistruar më shumë se 460,000 raste të sëmundjes koronavirus.

Më shumë se 5,200 njerëz me covid-19 kanë vdekur deri më tani nga pandemia./RTKLive