"Të paktën 202 persona të vrarë në Mianmar që nga grusht shteti"
BKT
   Bota

"Të paktën 202 persona të vrarë në Mianmar që nga grusht shteti"

Të paktën 2.181 persona janë arrestuar, akuzuar ose dënuar që nga grusht shteti i 1 shkurtit, tha Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë.

Një organizatë për të drejtat e njeriut konfirmoi se të paktën 202 persona janë vrarë në Mianmar që nga grushti i fundit ushtarak në vend, pas të cilit shpërthyen protesta masive, transmeton Anadolu Agency.

"Deri më tani, 202 njerëz janë vrarë. Numri i viktimave të tjera do të shtohet kur të konfirmohen", tha Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) në një raport të saj.

Që nga 16 marsi, gjithsej 2.181 persona janë arrestuar, akuzuar ose dënuar nga autoritetet në lidhje me grusht e shtetin të 1 shkurtit, sipas AAPP.

"Të ndaluarit nuk janë lejuar të takohen me të afërmit dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, askush nuk e di se ku po mbahen kaq shumë të arrestuar", thuhet më tej.

Sipas raportit, pasi junta ushtarake shpalli ligjin ushtarak, sulmet dhe vrasjet brutale nga ushtria dhe "ashtuquajtur policia" u intensifikuan.

Grupi tha se disa njerëz të plagosur u arrestuan dhe vdiqën pa patur trajtim mjekësor, ndërsa rastet e tjera të vrasjeve ishin për shkak të torturave kur u morën në pyetje dhe të tjerët u qëlluan për vdekje në ndërhyrjet për të shtypur protestat kundër grusht shteti.

"Njerëzit në Burma u sulmuan dhe u vranë çnjerëzisht çdo ditë nga junta e grusht shtetit", thuhet më tej.

Qindra njerëz u mblodhën të dielën në varrimin e studentit të mjekësisë Khant Nyar Hein, i cili u vra në Yangon. "Le të më vrasin tani, le të më vrasin në vend të djalit tim sepse nuk mund ta duroj më", tha nëna e Hein në një video të postuar në Facebook.

Regjimi i grushtit të shtetit të Mianmarit vendosi ligjin ushtarak në nëntë qytete të tjera në qytetet Yangon dhe Mandalay në fillim të javës, një ditë pasi forcat e sigurisë qëlluan gati 40 protestues të cilët kërkonin rivendosjen e sundimit civil.

Kujtojmë se Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.