Jemen: Rebelët akuzohen për zjarrvënie në kampet e migrantëve
BKT
   Bota

Jemen: Rebelët akuzohen për zjarrvënie në kampet e migrantëve

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, akuzon rebelët Huthi për shkaktimin e një zjarri fatal në një kamp migrantësh në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, javën e kaluar.

OKB tani po kërkon një hetim të pavarur mbi atë që shkaktoi zjarrin.

Më shumë se 40 migrantë afrikanë u vranë dhe 170 u plagosën rëndë nga zjarri.

I Dërguari Special i KB për Jemen, Martin Griffiths, i është drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërkoi një hetim të pavarur për shkakun e zjarrit.

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW) deklaron se forcat e sigurisë së rebelëve Huthi kishin mbyllur disa qindra migrantë në një hangar pas një grindjeje midis rojeve dhe migrantëve.

Sipas dëshmitarëve, forcat e sigurisë hapën dy predha të paidentifikuara në ndërtesë, të cilat filluan zjarrin.

Një video e publikuar nga HRW tregon se si forcat e sigurisë lëvizin midis të mbijetuarve jashtë ndërtesës ndërsa zjarri po vazhdon.

“Nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur se si ishte. Projektilet shpërthyen dhe kishte kaq shumë tym dhe pastaj kishte një zjarr që u përhap”, thotë një migrant 20-vjeçar, i cili citohet në raportin e HRW.

Migrantët në kamp vijnë kryesisht nga Etiopia dhe Ministria e Jashtme e vendit thotë se ka marrë raporte se 43 persona, shumë prej tyre bashkatdhetarë, vdiqën nga zjarri dhe u varrosën në Jemen.

HRW deklaron se qindra migrantë janë duke u kujdesur në një spital në Saana, nën mbikëqyrje intenzive.

Javën e kaluar, agjencia e migracionit e OKB-së, IOM, u bëri thirrje rebelëve Huthi të sigurojnë hyrje të papenguar për migrantët e dëmtuar nga zjarri.

Zëdhënësi i rebelëve Huthi, Mohammed Abdusalam, nuk u është përgjigjur akuzave nga HRW, por thotë se incidenti "nuk duhet të politizohet ose shfrytëzohet".

Pavarësisht paralajmërimeve, çdo vit mijëra migrantë nga Afrika udhëtojnë për në Jemen me qëllimin për të kaluar në vendet e tjera, përreth Gjirit Persik.

Por shumë janë bllokuar në kampe migrantësh, në vendin e shkatërruar nga lufta.