Rajoni i Parisit drejt një bllokimi të mundshëm antiCOVID-19
Kryeministri francez, Jean Castex pritet të detajojë sot kufizimet e reja antiCOVID-19, përfshirë një bllokim të mundshëm në rajonin e Parisit dhe në veri të vendit, pasi numri i pacientëve Covid-19 në njësitë e kujdesit intensiv po rritet me shpejtësi, sipas France24.
Kryeqyteti francez po përgatitet për kufizime të reja kundër koronavirusit të ri, pas një rritjeje të infeksioneve Covid-19 që kanë mbingarkuar spitalet dhe ka detyruar qeverinë të konsiderojë një bllokim të ri.
Presidenti Emmanuel Macron ka argumentuar fuqimisht kundër një bllokimi të tretë kombëtar, duke preferuar në vend të kësaj të zbatojë kufizimet locale, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe rritjen e numrave të variantit më ngjitës britanik.
“Le të jemi të qartë, ne jemi në një valë të tretë kryesisht për shkak të variantit të famshëm britanik”, tha ai pas një dite bisedimesh me stafin mjekësor dhe kryetarët lokalë në rajonin e Parisit.
“Situata është kritike. Do të jetë shumë e vështirë deri në mes të prillit”, shtoi presidenti francez.
Dy zonat e tjera të nxehta Covid-19 në Francë, Nica dhe rajoni verior përreth Calais, kanë qenë nën bllokime fundjave përkatësisht nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit.
Castex, i cili pritet të flasë sot pasdite vonë, u shpreh se të njëjtat kufizime ishin “në tryezë” edhe për Parisin./atsh























