Ndryshe nga Trumpi që e sulmonte, Blinken i ofron përkrahje të fortë NATO-s
BKT
   Bota

Ndryshe nga Trumpi që e sulmonte, Blinken i ofron përkrahje të fortë NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u zotua për rindërtimin dhe rivitalizimin e aleancës ushtarake veri-atlantike, NATO, pas katër viteve të vështira, kur Uashingtoni, gjatë pushtetit të ish-presidentit Trump, e përshkruante aleancën si organizatë të dalë jashtë mode, të përçarë dhe në krizë.

Gjatë vizitës së parë të një zyrtari të lartë amerikan në selinë e NATO-s në Bruksel që nga ardhja në pushtet e presidentit Joe Biden, Blinken gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, deklaroi se NATO-ja është në një moment thelbësor, por mund të dalë më e fuqishme pas mosmarrëveshjeve të brendshme rreth Turqisë dhe gazit rus.

“Kam ardhur këtu për ta shprehur përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që t’i rindërtojnë partneritetet, së pari dhe mbi të gjitha me aleatët tanë të NATO-s, ne duam që ta rivitalizojmë aleancën”, deklaroi kryediplomati amerikan në Bruksel.

Sipas tij, rritja ushtarake e Kinës dhe përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar Perëndimin janë kërcënime që kërkojnë që NATO-ja të bëhet bashkë, duke i bërë thirrje edhe Turqisë që të afrohet me aleancën, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, i mirëpriti komentet e homologut amerikan, duke thënë se NATO-ja e ka rizbuluar veten e saj më të mirë. “Nuk do të ketë mbrojtje evropiane pa NATO-n dhe nuk do të ketë NATO të mjaftueshme dhe relevante pa evropianët”, tha ai në selinë qendrore të kësaj organizate.