Zgjedhjet në Izrael nuk nxjerrin fitues të qartë
BKT
   Bota

Zgjedhjet në Izrael nuk nxjerrin fitues të qartë

Kryeministri Benjamin Netanjahu nuk arriti të sigurojë një shumicë bindëse parlamentare në zgjedhjet e Izraelit të martën, por një marrëveshje e mundshme me një rival të djathtë mund ta nxjerrë atë në fund të fundit fitues, sipas sondazheve të para pasi zgjedhësit hodhën votën.

As fushata në të cilën zoti Netanjahu e vuri theksin tek vaksinimi masiv për COVID-19, që e vuri Izraelin të parin në rang botëror, nuk mundi të kapërcente ngërçin politik dy vjeçar të shoqëruar me katër zgjedhje.

E majta e qendrës së Izraelit doli më mirë sesa pritej, sipas sondazheve të daljes në qendra votimi, pasi e vuri theksin tek akuzat e korrupsionit kundër zotit Netanjahu dhe e akuzoi atë për keqpërdorim të pandemisë.

Por ashtu si blloku tradicional i partive të krahut të djathtë dhe atyre fetare hebraike të zotit Netanjahu, ai nuk e arriti një shumicë qeverisëse në parlamentin me 120 anëtarë.

Ngecja mund të jetë sinjal i bisedimeve të gjata për ndërtimin e koalicionit apo edhe zgjedhje të reja.

Në mediat sociale, 71 vjeçari Netanjahu, pretendoi "një fitore të madhe" për të djathtën dhe partinë e tij Likud. Por parashikimet e kanaleve televizive nuk e mbështesin këtë.

Mbijetesa politike e udhëheqësit më jetëgjatë të Izraelit duket se varet nga 48-vjeçari Naftali Bennett, ministër i mbrojtjes në një qeveri të mëparshme të zotit Netanjahu dhe udhëheqës i partisë nacionaliste Yamina.

Një ish-ndihmës i zotit Netanjahu i cili ka kohë që kërkon ta zëvendësojë atë, Bennett nuk shprehu angazhimin për qëllimet e tij menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.

"Unë do të bëj vetëm atë që është e mirë për shtetin e Izraelit", u citua të thoshte zoti Bennett nga një zëdhënës.

Zoti Bennett, një milioner në fushën e teknologjisë së lartë, ka thënë se ai nuk do të shërbente nën udhëheqësin e mundshëm të grupit të qendrës së majtë, 57-vjeçarin Yair Lapid, kreu i partisë Yesh Atid. Ai gjithashtu nuk dha asnjë premtim të prerë publik gjatë fushatës për t'u bashkuar me zotin Netanjahu.

Pasi u transmetuan rezultatet e votimit, zoti Bennett tha se ai mori një telefonatë nga zoti Netanjahu dhe se i tha, "se do të presim rezultatet përfundimtare" përpara se të vendoste për hapat e tij të ardhshëm politikë.

Zoti Netanjahu gjithashtu telefonoi aleatët politikë konservatorë dhe i nxiti ata të bashkohen me një "qeveri të fortë, të qëndrueshme të krahut të djathtë", tha një zëdhënës.

Kryeministri Netanjahu kishte bërë fushatë duke trumbetuar aftësitë e tij udhëheqëse, bazuar në një program që u ka mundësuar gati 50% të izraelitëve të marrin dy dozat e vaksinës.

Por akuzat për ryshfete, mashtrime dhe thyerje të besimit, të cilat zoti Netanjahu i ka mohuar në gjyqin për të që vazhdon, si edhe vështirësitë ekonomike të izraelitëve pësuan gjatë tre bllokimeve në mbarë vendin për shkak të koronavirusit, kanë godiur popullaritetin e tij./VoA