Shkon në 28 numri i të vdekurve nga zjarri në kampin e refugjatëve Rohingya
Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit për të Drejtat e Njeriut të Birmanisë (BHRN), Kyaw Win, tha se kanë humbur jetën të paktën 28 persona, ndërsa janë plagosur mbi 40 të tjerë.
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 40 janë plagosur si pasojë e zjarrit që shpërtheu në kampin e refugjatëve Rohingya në Cox's Bazar të Bangladeshit.
Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit për të Drejtat e Njeriut të Birmanisë (BHRN), Kyaw Win, në deklaratën për AA tha se, në zjarrin në kamp janë shkatërruar rreth 15.000 streha, kanë humbur jetën të paktën 28 persona, ndërsa janë plagosur mbi 40 të tjerë.
Përfaqësuesi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) për Bangladeshin, Johannes Van der Klaauw, dje tha se pas zjarrit të shpërthyer në kampin Balukhali në Cox's Bazar nuk kanë asnjë informacion për 400 persona.
Klaauw theksoi se ekipet e OKB-së po zhvillojnë punime në rajone, duke shtuar se në fatkeqësi janë shkatërruar edhe klinikat dhe qendrat e shpërndarjes.
Zyrtari i UNHCR-së tha se me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) janë duke i koordinuar punimet pas zjarrit, ndërsa prioritet janë gratë dhe fëmijët.
Ndërkohë zyrtarët e Bangladeshit kanë filluar hetime në lidhje me zjarrin.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve ku si pasojë e ngjarjeve, mijëra persona nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.
Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.
Sipas OKB-së, që nga gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 900 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë treguar se qindra fshatra janë shkatërruar.
Agjencitë e OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cilësojnë si "spastrim etnik" ose "gjenocid" dhunën ndaj muslimanëve të Arakanit.























