BE diskuton marrëdhëniet me Turqinë
BKT
   Bota

BE diskuton marrëdhëniet me Turqinë

Marrëdhëniet me Ankaranë janë temë diskutimi në video-samitin e bllokut

Liderët e Bashkimit Europian shqyrtojnë nxitjen diplomatike dhe ekonomike për të shtyrë Turqinë të vazhdojë me përmirësimin e lidhjeve me BE dhe të promovojë stabilitet.

Marrëdhëniet me Ankaranë janë temë diskutimi në video-samitin e 27 shteteve të BE-së përderisa blloku i pa si shqetësuese tensionet në vitin e kaluar për eksplorimin e gazit nga Turqia ne Mediterranin lindor.

Presidenti i Këshillit Europian Charles Miches, i cili drejton takimin, thotë se blloku do të zhvillojë lidhjen me Turqinë në mënyrë të kushtëzuar, raporton France24.

Brukseli është inkurajuar nga rinisja e bisedimeve me Greqinë mbi një kufi të diskutueshëm detar dhe nga planet për të rifilluar përpjekjet e paqes të KB për shtetin e ndarë të Qipros.

 

Por ka shqetësime të thella lidhur me lëvizjet e fundit të Ankarasë për të mbyllur një parti të opozitës dhe largimin e saj nga një traktat mbi dhunën ndaj grave.

 

BE "duhet të punojë në propozime konkrete për një "agjendë pozitive "që nxit një dinamikë konstruktive, përfshirë përsa i përket stabilitetit rajonal," u tha kryeministri italian Mario Draghi europarlamentarëve.

Por ai këmbënguli në "rëndësinë e shmangies së nismave përçarëse dhe nevojën për të respektuar të drejtat e njeriut" dhe përshkroi tërheqjen e Ankarasë nga Konventa e Stambollit si një "hap serioz prapa".