Kina provokon sërish Taivanin
BKT
   Bota

Kina provokon sërish Taivanin

Ministria e Mbrojtjes së Taivanit thotë se 20 avionë ushtarakë kinezë hynë në zonën ajrore të saj.

Njëzet avionë ushtarakë kinezë hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit të premten, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të tensioneve nëpër ngushticën e Tajvanit, njofton The Guardian.

Ministria tha se forca ajrore vendosi raketa për të "monitoruar" ndërhyrjen të forcave ajrore kineze në pjesën jug-perëndimore të zonës së saj.

Ministria gjithashtu njoftoi se avionët e saj paralajmëruan avionët kinezë, përmes radio-lidhjes. Kjo ndërhyrje konsiderohet si më e madhja nga forcat ajrore kineze, që kur ministria e mbrojtjes e Tajvanit filloi të zbulonte fluturimet ushtarake kineze, pothuajse, të përditshme mbi ujërat midis pjesës jugore të Tajvanit dhe Ishujve Pratas të kontrolluar nga Tajvani në Detin e Kinës Jugore vitin e kaluar.

Disa nga avionët kinezë fluturuan në hapësirën ajrore në jug të Tajvanit dhe kaluan përmes Kanalit Bashi, i cili ndan ishullin nga Filipinet, njoftoi Ministria e Mbrojtjes tajvaneze.

Një person i njohur me planifikimin e sigurisë së Tajvanit i tha Reuters se ushtria kineze po kryente stërvitje që do të simulonin një operacion kundër anijeve luftarake të SHBA që lundrojnë përmes Kanalit Bashi.

Kina, e cila pretendon Tajvanin si territorin e saj, ka rritur aktivitetet ushtarake pranë ishullit demokratik në muajt e fundit, një veprim që Tajvani thotë se rrezikon stabilitetin rajonal.

Tajvani zyrtar njofton strukturën e kësaj ekspedite ajrore të avionëve kinezë, sipas të cilit, kjo ekspeditë ishte e përbërë nga katër bombardues bërthamorë H-6K dhe 10 avionë luftarakë J-16.

Lidhur me situatën në këtë rajon edhe admirali amerikan, John Aquilino, ka vlerësuar se kërcënimi i Kinës për të pushtuar Tajvanin është 'më afër sesa mendojnë shumica'.

Ndërkaq Kina nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm lidhur me situatën e krijuar në terrren.

Pekini në mënyrë rutinore thotë se ushtrime të tilla nuk janë asgjë e pazakontë dhe janë krijuar për të treguar vendosmërinë e tij për të mbrojtur sovranitetin e tij.

Ndërkohë që bëhet e ditur se më herët të premten, Tajvani dhe SHBA nënshkruan marrëveshjen e tyre të parë nën presidencën e Joe Biden, duke krijuar një grup pune të rojes bregdetare për të koordinuar politikën, pasi Kina miratoi një ligj që lejon rojën e saj bregdetare të qëllojë me anije të huaja.

SHBA, si shumica e vendeve, nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin, por ajo është e detyruar me ligj të ndihmojë Tajvanin të mbrojë veten dhe është furnizuesi kryesor i armëve në ishull.