Burkina Faso, 6 të vdekur në një sulm të armatosur
BKT
   Bota

Burkina Faso, 6 të vdekur në një sulm të armatosur

Zyrtari tha se personat e armatosur u larguan nga vendi i ngjarjes pas sulmit.

Persona të paidentifikuar të armatosur kanë vrarë gjashtë persona dhe kanë plagosur një person në provincën veriore Sanmatenga në Burkina Faso, theksuan sot autoritetet lokale, raporton Anadolu Agency.

"Të enjten, rreth orës 3 pasdite, shpërtheu një përplasje midis Vullnetarëve për Mbrojtjen e Atdheut (VDP) dhe terroristëve të dyshuar në qytetin Dablo, duke lënë të vrarë gjashtë persona dhe një tjetër të plagosur", theksoi një zyrtar i sigurisë për AA, i cili foli në kushte anonimiteti.

Zyrtari tha se personat e armatosur u larguan nga vendi i ngjarjes pas sulmit.

Asnjë grup ende nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ky vend i Afrikës Perëndimore është dëmtuar nga sulme të përsëritura terroriste të cilat kanë marrë shumë jetë gjatë pesë viteve të fundit, si dhe kanë zhvendosur mijëra njerëz, të cilët gjithashtu po përballen me një krizë serioze humanitare.

Burkina Faso, Nigeri dhe Mali në Sahel janë në epiqendrën e një prej krizave të zhvendosjes me rritjen më të shpejtë në botë.