Humbin jetën 2 ushtarë të Venezuelës nga një minë afër kufirit me Kolumbinë
Incidenti ndodhi gjatë përleshjeve të ashpra midis trupave venezuelase dhe grupeve të armatosura kolumbiane.
Dy ushtarë të Venezuelës humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën kur një minë shpërtheu gjatë operacioneve kundër grupeve të armatosura përgjatë kufirit kolumbian, njoftoi dje ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino Lopez.
Lopez raportoi se gjatë konfrontimeve, ushtria ishte në gjendje të ndalonte mbi 30 kriminelë kolumbianë dhe të çaktivizonte gjashtë eksplozivë që ishin vendosur në autostradat në zonë.
"Në total u neutralizuan nëntë terroristë, 31 të arrestuarve, me urdhrin e Gjykatës Ushtarake iu caktua masa e paraburgimit, gjashtë pajisje shpërthyese u çaktivizuan në autostradat në zonë, nëntë kampe u shkatërruan, përfshirë një e cila përdorej për përpunimin e pastës së kokainës, si dhe u sekuestruan armë dhe pajisje të komunikimit dhe kompjuter, si dhe substanca kimike", tha Lopez.
Si rezultat i këtyre përleshjeve, mbi 3.000 venezuelas u larguan nga zona, duke kaluar kufirin drejt Kolumbisë.
Situata ka përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis qeverive të të dy vendeve.
Lopez ka denoncuar "pëlqimin" me të cilin qeveria kolumbiane ka vepruar kundër grupeve të paligjshme.
Presidenti kolumbian, Ivan Duque ka akuzuar ndërkohë qeverinë e presidentit Nicolas Maduro për strehimin e disidentëve të grupeve guerile FARC dhe ELN.
Të dy qeveritë kanë mohuar akuzat e ndërsjella.























