Morina: Pacientët që kanë kaluar Covid-19 vazhdojnë të kenë probleme

Morina: Pacientët që kanë kaluar Covid-19 vazhdojnë të kenë probleme

​​​​​​​Një pjesë e pacientëve që e kanë kaluar Covid-19, vazhdojnë të kenë akoma probleme me mushkëri, dhe kjo e bën që në Klinikën e Pulmologjisë ngarkesa të jetë më e madhe, kështu tha në një intervistë për Ekonomia Online, pulmologu Besim Morina.

“Muajin e fundit kemi pasur një ngarkesë më të madhe në klinikën tonë, kemi pas një numër më të madh të rasteve dhe kërkesave për hospitalizim, po ashtu edhe numri i pacientëve që ka nevojë për oksigjen ka qenë më i madh. Kjo si rezultat e numrit të rritjes së infektuarve. Normalisht ne i hospitalizojmë vetëm pacientët që janë në gjendje më të rëndë, kurse ata në gjendje më të lehtë ne mund t’i kontrollojmë në ambulanca specialistike, mirëpo ata i vazhdojnë trajtimin e tyre në shtëpi. Tani së fundi janë liruar hapësira të reja, është liruar Klinika e Internos, edhe si e tillë kjo klinikë pacientët e vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Internos, kjo e ka lehtësuar punën tonë”, tha Morina.

“Për fat të keq një pjesë e konsiderueshme e pacientëve që e kalojnë Covidin vazhdojnë të kenë probleme me frymëmarrjen dhe e shohim që një pjesë e madhe e tyre pasi të kalojnë infeksionin vazhdojnë të kërkojnë ndihmë tek ne. Një pjesë e tyre nuk ju mjafton oksigjeni që e marrin, pra shpesh duhet të jepet oksigjen shtesë, pra mushkritë e tyre asnjëherë s’e rifitojnë funksionin e tyre, kjo vlen për një grup të vogël të pacientëve që kanë pneunomi shumë të rënda ose që kanë pasur sëmundje shumë të rënda. Por edhe ata që nuk kanë pasur probleme të rënda vazhdojnë të ankohen prej pasojat e Covidit”, u shpreh tutje ai.

“Një pjesë ankohet për kollë të vazhdueshme. Po ashtu një pjesë ankohen edhe për marramendje, për dhimbje gjoksi, probleme të tjera në formë të djersitjes. Pra është një grup i madh i pacientëve që vazhdojnë të mos ndihen mirë. Ne po mundohemi t’ia japim ndihmën e duhur por shpesh kjo ndihmë s’po mjafton pasi ende nuk e kemi gjetur një trajtim që do të largonte të gjitha ankesat përnjëherë”, theksoi mes tjerash Morina.

Tutje, pulmologu thotë kohëzgjatja e anti-trupave varet nga organizmi i njeriut. Ai thotë se deri më tani kanë pasur persona që imuniteti u ka zgjatur vetëm katër muaj, ku si pasojë e kësaj kanë pasur infeksion për herë të dytë.

“Varet shumë prej organizmit, disa organizma që vazhdojnë të kenë një përgjigje më imune ndaj infeksionit ata krijojnë më shumë anti-trupa. Këta pritet që të kenë një kohëzgjatje më të madhe të anti-trupave. Një grup i pacientëve kanë një përgjigje më të vogël imune. Ne presim që 6 ose 8 muaj të jenë imun por ka ndodh që pas 4 muaj të kemi infeksion të dytë, varet nga personi. Po ashtu varet sa aktiv janë anti-trupat, pasi ka dikush që ka anti-trupa në gjak por nuk janë aktiv ndaj infeksionit”, deklaroi Morina.


MË SHUME NGA Shëndetësi