India raporton mbi 115 mijë raste të reja me COVID-19
Raporti i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë tregon se numri i të vdekurve po ashtu është rritur në 166.177, përfshirë 630 viktima të regjistruara gjatë ditës së fundit.
India brenda 24 orëve të fundit ka regjistruar shifrën historike më të lartë të rasteve pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), përkatësisht 115.736 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në mbi 12,8 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë tregon se numri i të vdekurve po ashtu është rritur në 166.177, përfshirë 630 viktima të regjistruara gjatë ditës së fundit.
Të hënën vendi raportoi mbi 100 mijë raste të reja për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë, ndërsa dje raportoi pothuajse 97 mijë raste.
Me rastet një-ditore që vazhdojnë të rriten në shumë pjesë të vendit, autoritetet kanë njoftuar kufizime të rrepta për të frenuar përhapjen e virusit.
Qeveria në kryeqytetin New Delhi ka vendosur një shtetrrethim në periudhën kohore 22:00-05:00 deri më 30 prill.
Qeveria në Maharashtra po ashtu njoftoi kufizime të reja në shtet, përfshirë një shtetrrethim gjatë orëve të natës dhe një mbyllje të plotë gjatë fundjavave.
Pas SHBA-së dhe Brazilit, momentalisht India është vendi i tretë më i prekur në botë për sa i përket infeksioneve nga koronavirusi.























