Shpërthen Covidi në Indi, shënohet rekord prej mbi 200.000 rastesh në ditë
BKT
   Bota

Shpërthen Covidi në Indi, shënohet rekord prej mbi 200.000 rastesh në ditë

India raportoi rekord prej më shumë se 200 mijë rasteve të reja me Covid-19 të enjten, ndërsa qendra financiare, Mumbai, u fut në izolim në kohën kur shumë spitale për koronavirus raportuan mungesë të shtretërve dhe mungesë të oksigjenit mjekësor.

Kjo shifër ishte rekordi i shtatë i rasteve ditore në tetë ditët e fundit dhe erdhi në kohën kur India po lufton me një valë të dytë masive të infeksioneve që epiqendrën e ka në rajonin e Maharashtras, ku ndodhet Mumbai.

India shënoi saktësisht 200 mijë e 739 raste me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 1 mijë e 38 viktima dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në mbi 173 mijë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 14.1 milionë, që është shifra e dytë më e lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, të cilat prijnë bindshëm me 31.4 milionë të infektuar.

Shtimi i rasteve në Indi mund të ketë ndikim negativ në fushatën e vaksinimit në shumë shtete, sepse ky vend e ka ndaluar përkohësisht eksportimin e vaksinave për Covid-19 që prodhohen atje për t’i plotësuar nevojat e veta.