Tajlanda regjistron rekord të rasteve me COVID-19
BKT
   Bota

Tajlanda regjistron rekord të rasteve me COVID-19

Shitësve me pakicë dhe qendrave tregtare në mbarë vendin u është kërkuar të mbyllen në orën 21:00, pas përpjekjes së fundit të sektorit privat për të ndihmuar në frenimin e shpërthimit të valës së tretë të pandemisë COVID-19.

Tajlanda ka regjistruar një rekord prej 1.543 rastesh të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), mes shënimit të festivalit tradicional të Vitit të Ri tajlandez ose Songkran që zhvillohet në 13-15 prill çdo viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rekordi i ri është rritja më e madhe që nga fillimi i pandemisë dhe rekord i katërt i shënuar këtë javë në një valë të tretë të infeksioneve në Tajlandë.

Në një konferencë për media në Bangkok, Qendra e Administrimit të Situatës me COVID-19 në Tajlandë njoftoi se rastet e reja çuan numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 37.453, përfshirë 97 vdekje.

Ndërkohë, shitësve me pakicë dhe qendrave tregtare në mbarë vendin u është kërkuar të mbyllen në orën 21:00, pas përpjekjes së fundit të sektorit privat për të ndihmuar në frenimin e shpërthimit të valës së tretë të pandemisë COVID-19.

Kreu i Shoqatës Tajlandeze të Shitësve me Pakicë (ART), Yol Phokasub, tha se kanë njoftuar anëtarët e tyre dhe partnerët tregtare në mbarë vendin se ata duhet të maksimizojnë masat e tyre të monitorimit të koronavirusit. Ai u kërkoi anëtarëve dhe partnerëve të shoqatës të mbyllen në ora 21 duke filluar nga e enjtja deri në një njoftim tjetër.

Sot, Ministria e Shëndetit Publik e Tajlandës u bëri thirrje njerëzve që jetojnë në zona me rrezik të lartë të punojnë nga shtëpia ose të qëndrojnë të mbyllur për dy javë me qëllim për të kufizuar trajektoren në rritje të infeksioneve me COVID-19 që pritet të arrijë kulmin pas festivalit Songkran.

Ministria ka caktuar zonat me rrezik të lartë si zona të kuqe në nëntë provinca, përfshirë provincën Bangkok, Chiang Mai, Chon Buri, Prachuap Khiri Khan, Samut Prakan, Samut Sakhon, Pathum Thani, Sa Kaeo dhe Narathiwat.