Mianmar, shkon në 726 numri i viktimave në protestat kundër grushtshtetit
BKT
   Bota

Mianmar, shkon në 726 numri i viktimave në protestat kundër grushtshtetit

Komiteti Përfaqësues i Asamblesë Kombëtare (CRPH), i cili u krijua në Mianmar nga deputetët e zgjedhur anti-grusht-shteti për të rikthyer qeverinë civile, do të shpallë kabinetin e qeverisë së përkohshme.

Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 726, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), 12 viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit.

Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 726, ndërsa i të arrestuarve në 3.151.

Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 813 persona.

Siç raportohet, 36 nga të arrestuarit në 24 orët e fundit janë aktivistë që i kanë organizuar protestat.

Komiteti anti-grusht-shteti sot do të njoftojë kabinetin e qeverisë së përkohshme

Nga ana tjetër, raportohet se Komiteti Përfaqësues i Asamblesë Kombëtare (CRPH), i cili u krijua në Mianmar nga deputetët e zgjedhur anti-grusht-shteti për të rikthyer qeverinë civile, do të shpallë kabinetin e qeverisë së përkohshme civile të planifikuar kohë më parë.

Duke folur për Myanmar Now, një anëtar i CRPH-së vuri në dukje se në përputhje me Marrëveshjen e Demokracisë Federale të shpallur më 31 mars, kabineti i qeverisë së përkohshme do të përcaktohet dhe do të përbëhet nga emra të zgjedhur me votën e popullit.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.