BE nuk do të rinovojë kontratat me Astrazenca dhe Johnson&Johnson

BE nuk do të rinovojë kontratat me Astrazenca dhe Johnson&Johnson

Bashkimi Europian pritet të ndërpresë bashkëpunimin për blerjen e vaksinave anti-covid me AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Një vendim zyrtar ende nuk është marrë, por ministra të qeverisë së Francës pohojnë se pritet të mos ketë një kontratë të re për dozat e këtyre kompanive.

 “Një vendim ende nuk është marrë, por ne nuk kemi nisur bisedime me AstraZeneca dhe Johnson & Johnson për një kontratë të re, ndërsa tashmë kemi nisur diskutime për kontrata me Pfizer/Biontech dhe Moderna.”, deklaroi Agners Pannier-Runacher, ministre e industrisë.

Në këtë drejtim ka ndikuar edhe fakti që vaksinat e këtyre dy kompanive kanë shfaqur probleme të tilla si mpiksje gjaku. Produktet e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson janë të bazuar në një teknologji me vektorë viralë, një metodë e cila është në shqyrtim, pas raportimeve të efekteve anësore serioze.

 Me marrëveshjen aktuale, Shtetet e Bashkimit Europian mund të blejnë 100 milionë doza të tjera nga AstraZeneca, nga 300 milionë të porositura aktualisht. Ndërsa mund të përdorin dhe opsionin e kontratës me Johnson & Johnson për të dyfishuar porosinë në 400 milionë vaksina.

Raportimi për ndërprerjen e kontratës nga BE me këto dy kompani u raportua fillimisht nga gazeta italiane “La Stampa”. Kjo erdhi pasi shumë vende të bllokut pezulluan ose kufizuan përdorimin e vaksinës së AstraZeneca, teksa një gjë të tillë e bëri përkohësisht edhe SHBA për produktin e  Johnson & Johnson pas rasteve me mpiksje gjaku.