Macron dhe Merkel thirrje Putinit të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën

Macron dhe Merkel thirrje Putinit të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel i shprehën sot mbështetjen e tyre presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe i bënë thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj në kufirin me Ukrainën, me qëllim uljen e tensioneve në një kontekst shumë të paqëndrueshëm.

Të tre liderët ndanë, gjatë një videokonference, “shqetësimet e tyre në lidhje me rritjen në numër të trupave ruse në kufirin me Ukrainën” dhe bënë thirrje për një tërheqje të “këtyre përforcimeve në mënyrë që të arrihet ulje e tensioneve”, sipas një deklarate nga Kancelaria gjermane, raporton ATSh.

“Merkel dhe Macron gjithashtu theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin e Ukrainës dhe presidentin e saj”, shtoi Presidenca franceze, duke theksuar se Zelensky kishte shprehur nga ana e tij një” dëshirë shumë të qartë për ulje të tensioneve”.

Prej disa javësh, përplasjet janë rritur midis Kievit dhe separatistëve pro-rusë në Donbass, ndërsa dhjetëra mijëra ushtarë rusë janë vendosur në kufi, duke ngritur frikën e një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë.