Mianmar, 5 të vdekur në përleshjen midis ushtrisë dhe grupit të armatosur

Mianmar, 5 të vdekur në përleshjen midis ushtrisë dhe grupit të armatosur

Ushtria e Pavarësisë në Kachin, e cila është midis 20 grupeve të armatosura etnike në Mianmar, kundërshtoi grushtin e shtetit dhe njoftoi se do të mbronte protestuesit kundër ushtrisë së Mianmarit.

Pesë ushtarë të Mianmarit u vranë në përleshjen midis ushtrisë që mori pushtetin pas grushtit ushtarak dhe Ushtrisë së Pavarësisë në Kachin (KIA), një nga grupet e armatosura etnike kundër grushtit të shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në faqen Irrawaddy, një përleshje e armatosur ndodhi midis ushtrisë së Myanmarit dhe militantëve të KIA-s natën e 16 prillit dhe dje në mëngjes në rrethin e Sumprabum në shtetin Kachin në veri të vendit.

Zëdhënësi i KIA-s deklaroi se 30 ushtarë nga ushtria Mianmarit gjendeshin në zonën e konfliktit dhe pesë prej tyre u vranë, por nuk dha ndonjë informacion në lidhje me viktimat e grupit të armatosur etnik.

Ushtria e Pavarësisë në Kachin, e cila është midis 20 grupeve të armatosura etnike në Mianmar, kundërshtoi grushtin e shtetit dhe njoftoi se do të mbronte protestuesit kundër ushtrisë së Mianmarit.

Numri i viktimave rritet në 730

Ndërkohë, numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 730.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), dy viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit.

Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 730, ndërsa i të arrestuarve në 3.152.

Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 871 persona.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.