BE vitin e kaluar u dha azil 281.000 personave

BE vitin e kaluar u dha azil 281.000 personave

Blloku evropian ofroi mbrojtje për 5 për qind më pak njerëz në vitin 2020 krahasuar me vitin e kaluar, respektivisht me 281.000 procedura të suksesshme të aplikimit krahasuar me 295.600 përfitues në vitin 2019.

Zyra evropiane e statistikave Eurostat ka bërë të ditur se mbi 280.000 azilkërkuesve në vitin 2020 u është dhënë mbrojtje nga një vend i Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të fundit të botuara nga Eurostat, blloku evropian ofroi mbrojtje për 5 për qind më pak njerëz në vitin 2020 krahasuar me vitin e kaluar, respektivisht me 281.000 procedura të suksesshme të aplikimit krahasuar me 295.600 përfitues në vitin 2019.

Shtetasit sirianë janë grupi kryesor kërkesat e azilit të të cilëve iu pranuan, duke përbërë 27 për qind të të gjithë përfituesve të mbrojtjes. Ata u pasuan nga venezuelasit me 17 për qind dhe afganët me 15 për qind.

Pesë vende, përkatësisht Gjermania, Spanja, Greqia, Franca dhe Italia, u kanë dhënë mbrojtje mbi 80 për qind të aplikuesve.

Vetëm Gjermania vendosi të miratojë 98.000 kërkesa, pasuar nga 51.200 vendime pozitive në Spanjë dhe 35.800 në Greqi, si dhe 29.400 raste në Francë dhe 21.300 në Itali.

Një shumicë prej 60 për qind e shtetasve sirianë dhe 35 për qind e afganëve u mirëpritën nga Gjermania, ndërsa gati të gjithë apo 96 për qind e aplikuesve venezuelianë gjetën azil në Spanjë.

Në mesin e 281.000 kërkesave të suksesshme për azil në vitin 2020, 127.700 rezultuan në statusin e refugjatit, duke lejuar gamën më të gjerë të të drejtave dhe përfitimeve, ndërsa 80.700 u dhanë mbrojtje humanitare dhe 72.600 mbrojtje plotësuese.