Praga, thirrje Perëndimit t`i kundërpërgjigjet Rusisë

Praga, thirrje Perëndimit t`i kundërpërgjigjet Rusisë

Republika Çeke po u bën thirrje aleatëve evropianë dhe të NATO-s të ndërmarrin veprime të përbashkëta si kundërpërgjigje ndaj Rusisë.

Kjo vjen pas akuzave se agjentët rusë qëndronin pas një shpërthimi të madh në një depo armësh të Çekisë në vitin 2014 dhe se ishin pjesë e një njësie speciale që kreu edhe një atentat në Britani.

Tetëmbëdhjetë diplomatët rusë të dëbuar nga Republika Çeke, që mbërritën në Moskë të hënën, ishin identifikuar nga hetuesit çekë si agjentë ushtarakë. Si kundërpëgjigje, Rusia dëboi njëzet diplomatë çekë.

"Ne thyem me sukses dy njësi të mëdha agjenturore ruse dhe për rusët do jetë shumë e komplikuar t'i ndërtojnë ato përsëri," tha Jan Hamacek, Ministër i Jashtëm në detyrë i Republikës Çeke.

Hetuesit akuzojnë Rusinë për shpërthimin në një depo çeke armësh në vitin 2014, ku humbën jetën dy punëtorë.

Dy persona që udhëtonin me dokumente të rreme kërkuan të vizitonin vendin e ngjarjes në kohën e shpërthimit.

Ata janë identifikuar si të njëjtit persona të dyshuar për helmimin me agjent nervor në Britani në vitin 2018 të ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal, i cili mezi arriti të mbetet gjallë.

Faqja hetimore e internetit Bellingcat i identifikoi ata si Anatoly Chepiga dhe Alexander Mishkin, që të dy oficerë të zbulimit ushtarak rus, GRU. Njësia e tyre, 29155, besohet se merret me sabotime dhe subversion.

"Ata duket se janë jashtëzakonisht aktivë në disa pjesë të Evropës. Por përveç kësaj ne kemi parë vrasjen e çeçeno-gjeorgjianit Zelimkhan Khangoshvili në Berlin, për të cilën një rus po gjykohet në Gjermani. Është gjithashtu gjyqi për çështjen e avionit MH17 në Hagë. Ka patur edhe shtetas të tjerë rusë të vrarë në vende të tjera të Bashkimit Evropian,” thotë Ian Bond, analist për Rusinë.

Të hënën, Bashkimi Evropian shprehu mbështetje për dëbimin nga Republika Çeke të diplomatëve rusë.

"Këta diplomatë janë identifikuar nga zbulimi çek si agjentë të shërbimit ushtarak rus dhe Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar dhe në solidaritet me Republikën Çeke," tha Josep Borrell, Shef i Politikës së Jashtme të BE-së.

Një zëdhënës i Kremlinit i quajti akuzat çeke “të pabaza” dhe akuzoi Perëndimin për “një psikozë masive anti-ruse”.

Javët e fundit janë rritur tensionet, për shkak se Rusia ka vendosur mijëra trupa dhe pajisje ushtarake në kufirin me Ukrainën.

Gjithashtu, Rusia mban të burgosur udhëheqësin kryesor të opozitës Aleksej Navalni, për të cilin mjekët thonë se është në gjendje të rëndë në një spital burgu. Presidenti rus po përpiqet të fitojë mbështetje brenda vendit, thotë analisti Ian Bond.

“Këto 12 muajt e fundit nuk kanë dhe aq të mirë për Putinin. Rusia ka ndër nivelet më të larta të vdekjeve nga COVID-i në botë. Ekonomia është në stanjacion dhe FMN-ja parashikon se ajo do të qëndrojë në këtë gjendje për një farë kohe. Gjithashtu, protestat për arrestimin e Navalnit në janar ishin më të mëdhatë që ka parë Rusia prej një kohe mjaft të gjatë," thotë analisti Ian Bond.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Rusisë këtë muaj duke e akuzuar Moskën për sulme kibernetike dhe akte të tjera keqdashëse. Republika Çeke po kërkon masa të mëtejshme nga aleatët e saj, si dëbimin e diplomatëve dhe agjentëve rusë, për t’iu kundërvënë ndërhyrjeve të Kremlinit./VOA