Europa rifillon me shpërndarjen e vaksinës Johnson&Johnson
EMA tha se e konsideron vaksinën të sigurtë, ua ka lënë shteteve anëtare të Bashkimit Europian të vendosin se si ta përdorin atë.
Vendet europiane u përgatitën për të rifilluar gjatë javës dorëzimin e vaksinës Johnson&Johnson ndaj COVID-19 dhe për të përshpejtuar përhapjen.
Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë tha se do të fillonte dërgesat në shtetet federale për t’u përdorur në qendrat e vaksinimit së shpejti. Mjekët e familjes duhet të marrin vaksinën nga java tjetër.
Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha se kishte gjetur një lidhje të mundshme midis vaksinës Covid të zhvilluar nga Johnson & Johnson me raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut të pazakontë me trombocite të ulëta.
Rishikimi i një numri të rasteve nxiti një pauzë në përhapjen e vaksinës J&J në Europë dhe Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.
Kjo ishte pengesa e fundit në përpjekjet për të luftuar pandeminë, e cila ka vrarë më shumë se 3.1 milion dhe ka infektuar 142.1 milion në të gjithë botën.
Ndërsa, EMA tha se e konsideron vaksinën të sigurtë, ua ka lënë shteteve anëtare të Bashkimit Europian të vendosin se si ta përdorin atë.
Holanda ka në plan të rifillojë përdorimin e vaksinës që nga kjo javë. Ministria e shëndetësisë e Italisë rekomandoi që vaksina J&J të përdoret për njerëzit mbi moshën 60 vjeç.
Në Gjermani nuk është e qartë nëse rregullatorët do të kufizonin përdorimin e vaksinës J & J në një grup moshë të caktuar, siç kishte bërë me vaksinën nga AstraZeneca, të cilën komiteti i saj i vaksinave rekomandon për moshat mbi 60 vjeç.
Autoriteti shëndetësor i Danimarkës do të shpallë vendimin e tij javën tjetër se si do të veprohet, në pritje të hetimeve të mëtejshme në lidhjet e mundshme të vaksinës me mpiksjet e rralla të gjakut.
Përdorimi i vaksinës J&J u ndalua përkohësisht nga rregullatorët amerikanë javën e kaluar pasi u raportuan mpiksje të rralla të gjakut në tru, të kombinuara me një numër të ulët të trombociteve në gjak në gjashtë gra, duke e shtyrë kompaninë të vonojë shpërndarjen e saj në Europë.
Gati 8 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë marrë vaksinën J&J.























